
Ndryshimet sezonale, luhatjet në prodhim dhe import, si dhe ndikimet e situatave gjeopolitike kanë sjellë lëvizje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë të shportës dhe karburanteve gjatë muajit prill, sipas të dhënave të Instituti i Statistikave të Shqipërisë.
Në krye të rritjeve qëndron limoni, i cili është shtrenjtuar me rreth 41.6%, duke arritur në 212.4 lekë për kilogram, nga 150 lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas tij renditet domatja, me një rritje prej 20.1%, ndërsa çmimi ka arritur në 210.4 lekë për kilogram. Rritja lidhet kryesisht me dëmet në prodhim nga kushtet e pafavorshme atmosferike gjatë pranverës.
Në sektorin e energjisë, nafta është shtrenjtuar me 18.6%, duke arritur mesatarisht në 205.7 lekë për litër, ndërsa rritje prej 17.3% kanë shënuar edhe lëndët e tjera djegëse. Sipas analizave, ndikim në këtë trend kanë pasur edhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës.
Rritje me 12% ka shënuar edhe kafeja e bluar, ndërsa çmimet janë rritur gjithashtu edhe për verën me rreth 11%.
Nga ana tjetër, disa produkte kanë shënuar ulje të ndjeshme. Konservat janë ulur me 18.8%, sheqeri me 19.6%, ndërsa patatja ka pësuar rënie prej 18.9%, kryesisht si pasojë e mbiprodhimit në tregjet europiane.
Gjithashtu, ulje janë regjistruar edhe te qepët e thata, me 13.5%.
Produktet e brumit kanë mbetur relativisht të qëndrueshme, me luhatje të lehta: buka ka rënë me 0.7%, mielli me 3.6%, ndërsa makaronat me 2.3%.
Në sektorin e bulmetit, qumështi ka mbetur pothuajse i pandryshuar, ndërsa rritje më të moderuara janë regjistruar te gjiza dhe kosi natyral. Edhe produktet e mishit nuk kanë shfaqur ndryshime të ndjeshme në këtë periudhë.Versus.al

