AKTUALITET /

Kokainë e stampuar me ‘Shqiponjë’ dhe ‘Jaguar’, si funksiononte rrjeti i Salvador Aliut! SPAK zbardh 5 episodet e trafikut

Prokuroria e Posaçme thekson se grupi kishte krijuar një strukturë të mirëfilltë kriminale me role të ndara për organizimin e transportit, pritjen e ngarkesave, shpërndarjen dhe pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Shkruar nga Versus

Kokainë e stampuar me ‘Shqiponjë’ dhe

SPAK ka goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me në krye Salvador Aliun, i cili dyshohet se ka organizuar transportin e sasive të mëdha të drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal ka operuar përgjatë viteve 2019-2021 në disa shtete, përfshirë Brazilin, Belgjikën dhe Holandën, duke ndërtuar një rrjet të mirëorganizuar për trafikimin e kokainës në tregun europian.

Hetimet kanë zbuluar se anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara për transportin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, ndërsa një pjesë e kokainës ishte e stampuar me simbole si “Shqiponja” dhe “Jaguar”, që dyshohet se shërbenin si shenja identifikuese të ngarkesave dhe rrjeteve kriminale të përfshira.

Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë dokumentuar pesë episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Nga këto operacione janë sekuestruar në total 8 tonë e 960 kilogramë kokainë, ndërsa grupi dyshohet se ka trafikuar në total të paktën 50 tonë drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Prokuroria e Posaçme thekson se grupi kishte krijuar një strukturë të mirëfilltë kriminale me role të ndara për organizimin e transportit, pritjen e ngarkesave, shpërndarjen dhe pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Operacioni i fundit i SPAK konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të kokainës me përfshirje të shtetasve shqiptarë. Hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë bashkëpunëtorëve, dokumentimin e episodeve të tjera të trafikut dhe sekuestrimin e aseteve që dyshohet se janë krijuar nga fitimet e aktivitetit kriminal.

Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar  në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.

Episodi 2 –   6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike  kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe  kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).

Episodi 3 – 16 Gusht.2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në  Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020–  Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 5 – 03 shkurt 2021–  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50  kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .

Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.

 

Poll