Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi kanë nisur veprimet ligjore kundër masave të sigurisë “arrest me burg’ dhe “detyrim paraqitje” të caktuara nga GJKKO më 23 tetor në kuadër të akuzave të ngritura nga SPAK për 3 vepra penale: fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion në aferën Cez-DIA dhe lobimin në SHBA.
Kryemadhi ndaj të cilës u caktua masa ‘detyrim paraqitje’ ka dorëzuar ankiminin me postë në Apelin e GJKKO- së gjatë ditës së shtunë. Ndërsa ish-presidenti e bëri sot një gjë të tillë me anë të avokatit Genc Gjokutaj duke kërkuar lirimin e tij nga qelia e paraburgimit të '313'-ës në Tiranë.
“Në të treja procedimet do shihni në vazhdim fakte. Nuk mund të bëjmë deklarime më shumë por do i dokumentojmë”- u shpreh Gjokutaj në dalje nga GJKKO.
Ndërsa avokati Gjokutaj ka paralajmëruar se do të dorëzojë edhe kallëzimin ndaj Forcave Operacionale për mënyrën sesi oficerët kanë zbatuar masën e arrestit ndaj Ilir Metës, duke e nxjerrë me forcë nga makina me të cilën po hynte në Tiranë ku më pas do të mbante edhe një konferencë për shtyp në selinë e PL. Ai tha para gazetarëve se kallëzimi penal është gati dhe do të dorëzohet nëse kreu i policisë, Ilir Proda nuk jep informacion mbi emrat e efektivëve që realizuan aksionin.
Së fundmi, Meta ka bërë disa reagime të cilat janë publikuar nga personi që menaxhon facebook-un e tij, ku lë të kuptohet se fajëson Kryemadhin për shpenzimet e bëra duke thënë se provat që rrëzojnë akuzat ndaj tij gjenden pikërisht në telefonin e ish-bashkëshortes.
Nga ana tjetër Kryemadhi ka paralajmëruar denoncime aferash korruptive në ditët vijuese, ndërsa në përgjigjie të pyetjes së bërë nga gazetarët mbi ‘peshkun e madh’ në telefonin e saj, deputetja u përgjigj duke thënë se ishte vetë kryeministri Edi Rama. Gjithashtu edhe Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP dhe bashkëpunëtorja e Kryemadhit, Ema Çoku kanë ankimuar masat e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO ndaj tyre. Versus.al








