
Sot në orën 10:30 do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani” për të cilën kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Në seancën e kaluar më 30 qershor, ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte i pranishëm dhe kështu gjyqi u shty për shkak se kreu i PD pretendonte se nuk kishte marrë fletëthirrjen sipas afatit të caktuar nga ligji. Nga ana tjetër biznesmeni Fatmir Bektashi nuk u paraqit me arsyetimin se ishte i sëmurë.
I pranishëm ishte Jamarbër Malltezi i cili tha para trupës gjykuese se nuk e kishte njoftuar vjehrrin e tij për fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjykatë, ndërsa para mediave vijoi me deklaratat e tij ku akuzon se i gjithë procesi gjyqësor ndaj tyre është farsë e përgatitur nga kryeministri Edi Rama për të cilin thotë se ka firmat e tij në atë që SPAK e cilëson “aferë”.
Në mungesë të Berishës dhe me kërkesë të prokurorit të SPAK Arben Krajës, i cili deklaroi se ish kryeministri nuk është njoftuar në përputhje me ligjin, treshja me kryesuese Elsa Ulliri dhe relatorë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, vendosën që ta shtyjnë seancën më datë 21 korrik ora 10:30.
Më 19 maj, kaloi për gjykim dosja e shumëpërfolur, ndërsa asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar që do të thotë se procesi pritet të jetë i gjatë. Malltezi akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”. Versus.al







