AKTUALITET /

Dh*na mes të miturave e bërë publike në rrjete sociale, jepen masat e sigurisë për protagonistet e sherrit

Sipas organit të akuzës, të treja dyshohen se kanë kryer veprën penale të "Heqjes së paligjshme të lirisë", të kryer në bashkëpunim.

Shkruar nga Versus

Dh*na mes të miturave e bërë publike në rrjete sociale,

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka caktuar masat e sigurisë për tre personat e dyshuar të përfshirë në ngjarjen e dhunës ndaj një të miture, e cila u bë publike përmes rrjeteve sociale.

Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, për një nga të dyshuarat është vendosur masa "Arrest në burg", për një tjetër të mitur masa "Arrest në shtëpi", ndërsa për të miturën e tretë është urdhëruar shtrimi i përkohshëm në një institucion psikiatrik.

Sipas organit të akuzës, të treja dyshohen se kanë kryer veprën penale të "Heqjes së paligjshme të lirisë", të kryer në bashkëpunim.

Prokuroria bën të ditur se, gjatë hetimeve të deritanishme, janë mbledhur prova dhe fakte që kanë ngritur dyshime të arsyeshme për këtë vepër penale, çka solli edhe kërkesën për caktimin e masave të sigurimit ndaj personave nën hetim.

Duke qenë se në këtë procedim janë të përfshirë të mitur, Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve, administratorëve të rrjeteve sociale dhe mediave që të mos publikojnë apo shpërndajnë pamje dhe të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tyre, në respekt të privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të të miturve.

Organi i akuzës thekson se hetimet vijojnë dhe se opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejshme, për aq sa kjo nuk cenon sekretin hetimor dhe garancitë ligjore të procedimit./Versus.al

Poll