AKTUALITET /

‘Stadiumi është gati’, Rama publikon pamjet: 4 mln euro për Kanye West nuk janë shpenzim, janë investim!

Sipas kreut të qeverisë, fondi prej 4 milionë euro nuk duhet parë si një shpenzim për një natë, por si një investim që pritet të kthehet përmes rritjes së vizitorëve, konsumit dhe të ardhurave për ekonominë shqiptare.

Shkruar nga Versus

‘Stadiumi është gati’, Rama publikon pamjet: 4 mln euro

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur edhe një herë financimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West, duke e cilësuar atë një investim strategjik për promovimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njoftoi se stadiumi ku do të zhvillohet koncerti është gati, ndërsa theksoi se eventi do ta vendosë Shqipërinë në hartën e destinacioneve të rëndësishme për adhuruesit e muzikës nga e gjithë bota.

Sipas kreut të qeverisë, fondi prej 4 milionë euro nuk duhet parë si një shpenzim për një natë, por si një investim që pritet të kthehet përmes rritjes së vizitorëve, konsumit dhe të ardhurave për ekonominë shqiptare.

Rama u shpreh se, vetëm në ditët e fundit, është vënë re një rritje e prenotimeve në hotele, apartamente turistike, restorante, bare, shërbime taksie dhe aktivitete të tjera, duke shtuar se përfitimet ekonomike do të reflektohen edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Në përfundim, kryeministri u shpreh se anulimi i koncertit do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë, ndërsa organizimi i tij përfaqëson një mundësi për ta promovuar vendin në arenën ndërkombëtare dhe për të tërhequr më shumë vizitorë të huaj.

Postim i plotë:

GATI STADIUMI I KONCERTIT që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë
Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por VETLM KUSH NUK DO S’E KUPTON që ato 4 milionë janë një INVESTIM, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit - është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë.
Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është MARKETING GLOBAL PËR SHQIPËRINË, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar.
“S’kemi bukë, s’na duhet kultura”? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! (Nga koncerti Kanye West pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë Euro vlerë të shtuar).
Prandaj ta paraqesësh një investim të tillë si para të hedhura në erë është të mos kuptosh se si krijohet vlerë monetare nga ngjarjet kulturore e sportive, ndërkohë që e kundërta, anullimi i koncertit, do të ishte turpërim i Shqipërisë dhe dëm i madh në imazhin e mezingritur të vendit tonë.
Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj.Versus.al

 

Poll