Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga jashtë (konkretisht nga Greqia) për subjektet zgjedhore në 10 qarqe të vendit. Këto qarqe janë: Durrës, Tiranë, Shkodër, Dibër, Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.
Aktualisht, procesi i numërimit për subjektet politike vijon vetëm në qarkun Korçë, që mbetet i vetmi ku ende po bëhet verifikimi i fletëve të votimit të ardhura nga diaspora.
Ndërkohë, ka nisur edhe numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët përmes votimit preferencial (me lista të hapura) në 10 qarqe: Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier, Lezhë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër.
Për qarkun Kukës, ky proces është përmbyllur plotësisht.
KQZ pritet të publikojë të dhënat përfundimtare në ditët në vijim, ndërsa procesi po monitorohet nga afër për të garantuar transparencë dhe rregullshmëri në përllogaritjen e votës së diasporës, e cila po merr pjesë për herë të parë në një proces të tillë në mënyrë të organizuar dhe institucionale./Versus.al







