
Mijëra qytetarë kanë marshuar në bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar para Kryeministrisë.
Kjo është dita e 42-të e revoltës qytetare ndaj qeverisë e cila deri më tani nuk ka reaguar për asnjë nga kërkesat e tyre.
Ndërsa në Tiranë, pak kilometra nga sheshi ku po protestojnë qytetarët, pritet të nisë nga çasit në çast koncerti i reperit të njohur Kanye Ëest, qytetarët i bëjnë thirrje qeverisë të largohet dhe bashkë me të e gjithë klasa e vjetër politike e cila i ka zhgënjyer në 36 vitet e demokracisë.
Kërkesat e tyre janë:
Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.
Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Mos-heqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar direkt nga sheshi i protestës./Versus.al

