
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është paraqitur sot për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ashtu si herën e parë, mësohet se edhe këtë herë motivi i thirrjes së Dogjanit në SPAK lidhet me një kallëzim të bërë për pasurinë e tij.
Dogjani shpjegoi të gjitha rrethanat e kallëzimit duke akuzuar Ramën dhe Veliajn për një orkestrim të denoncimit ndaj tij. Ai rrëfeu se gjithçka kishte ardhur pas një denoncimi që ai kishte bërë ndaj ndërtuesit Ilirjan Çelaj për zaptimin e pronës publike në pallatin ku vetë Dogjani jeton.
Më tej demokrati, tha se ndërtuesi Çelaj ishte kushëri me njërin prej deputetëve të PS dhe së bashku kanë thurur planin për të bërë padi ndaj tij mbi pasurinë.
“Jam në SPAK për një denoncim që kam bërë që nuk kam pranuar të hesht lidhur me grabitjen e pronës publik në Tiranë. Bëhet fjalë për një pallat të ndërtuar në vitin 2006 dhe ndërtuesi në vend që të legalizonte pallatin, ka zaptuar një pronë dhe ka legalizuar në mënyrë të paligjshme ish-kompshtin publik dhe pjesën tjetër të planifikuar për lulishte.
Ne si banorë iu drejtuam SPAK-ut me kallëzim penal. Kjo tokë që është zaptuar, nuk iu kthye pronarëve sepse do bëhej lulishte. Kadastra asokohe anuloi legalizimin sepse ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme. Megjithëse Kadastra mori këtë vendim, gjyqtarja e Tiranës ku kaloi cështja nuk e pranoi konkluzionin e Kadastrës.
Kontaktova ministrin e Brendshëm dhe vetë Ramën me të cilin kam komunikuar me letra e mesazhe. I kam thënë shihe sepse kështu siç ndodh në pallatin tonë ndodh në të gjithë Tiranën.
Erdhi vetëm Balla dhe tha se do e ndjekim. Tani ky mashtruesi që ka zaptuar pronën publike, ky paska një kushëri deputet dhe Edi Rama e organizojnë me këtë bëjnë kallëzim për pasurinë time. Ky mashtruesi në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Erion Veliajn e kanë organizuar këtë që të bëjnë kallëzim për një shtëpi që kam këtu 100 metër katrorë në të cilën jetoj me tre fëmijët dhe gruan”- u shpreh Dogjani pasi doli nga SPAK. Versus.al








