Pas katër ditësh pa furnizim me ujë, banorët e Vlorës kanë bllokuar mëngjesin e sotëm aksin rrugor kryesor të qytetit në shenjë proteste.
Në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, i cili iu bashkua banorëve dhe kërkoi ndjesë për situatën e krijuar.
Shoshi tha se ekipet teknike kanë ndërhyrë disa herë për riparimin e defektit, por problemet me presionin e ujit e kanë bërë të vështirë zgjidhjen.
Ai shtoi se pajisjet e nevojshme për ndërhyrje përfundimtare janë tashmë në mbërritje, ndërsa puna po vijon me intensitet.
“Furnizimi me ujë do të rikthehet brenda mesnatës së sotme,” garantoi drejtori Shoshi, duke theksuar se autoritetet janë të angazhuara për të rikthyer normalitetin në qytet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Kam 72 orë që jam këtu dhe nuk kisha ku të lahem. E di shqetësimin tuaj, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin tuaj, problem shqetësim e marrim si të doni juve.
Që ta dëgjojmë dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Për çfarë të gënjej? Do më dëgjosh tani? Atëhere ju lutem ta respektojmë njëri tjetrin që ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Kemi tentuar tre herë ta bëjmë defektin por nuk ja kemi arritur për shkak të presioneve. Nëse nuk besoni hajdeni ta shikoni. Pajisjet janë duke ardhur dhe sot qytetarëve do ti rikthehet furnizimi me ujë në mesnatë. Kjo është fjala ime. Sot në mesnatë do t'iu vijë uji”, tha ai./Versus.al


