BKH dhe Policia e Shkodrës po zhvillojnë kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona, Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë. Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për procedimet penale që janë regjistruar nga SPAK për krime zgjedhore në Shkodër. Agjentët e BKH po mbështeten në terren nga oficer dhe patrulla te DVP Shkodër.
Ndërkohë nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, SPAK ka dhënë detaje mbi 35 procedimet penale të nisura për krimet zgjedhore. Mes tyre bëhet fjalë për 29 procedime nën dyshimin e korrupsionit aktiv në zgjedhje, 4 procedime për korrupsion aktiv dhe pasiv, 1 procedim për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe 1 procedim tjetër për përdorimin e funksionit publik për arsye politike dhe shpërdorim detyre.
Për 22 kallëzimeve mes qindra materialeve të referuara në SPAK, është vendosur mosfillimi i hetimeve. 16 denoncime janë referuar në prokuroritë e rretheve për moskompetencë të SPAK, 10 denoncime janë dërguar në polici për informacione shtesë dhe 1 material i është bashkangjitur një çështje tjetër ekzistuese. Pjesa tjetër është ende në proces verifikimi. Versus.al








