
Në Xarrë, Sarandë, ka nisur ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik, një projekt ky i rëndësishëm që synon të rrisë sigurinë, kapacitetet dhe cilësinë e furnizimit me energji për banorët dhe bizneset e zonës. Ky investim pritet të përfundojë gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm dhe është projektuar për t’u përgjigjur nevojave aktuale dhe zhvillimit të ardhshëm të rajonit.
Nënstacioni do të shërbejë jo vetëm për banorët e Xarrës dhe Konispolit, por edhe për zonën turistike të Ksamilit, e cila gjatë sezonit veror ka një fluks të shtuar vizitorësh. Rreth 7,000 abonentë do të përfitojnë nga ky investim.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSSH-së, Blendian Dalipi, inspektuan punimet në kantierin e nënstacionit.
Dalipi bëri me dije se ndërtimi i nënstacionit 110/20 kV me kapacitet prej 50 megavatësh pritet të përfundojë deri në maj 2026, por synohet që puna të përfundojë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
“Është një nënstacion totalisht i ri dhe sipas kontratës përfundon në maj 2026. Duke parë ecurinë e punimeve, ashtu si edhe në kantieret e tjera, synojmë ta përfundojmë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ky është një nënstacion 110/20 me një fuqi prej 50 megas,h që do të thotë një 8 -fishim të kapaciteteve krahasuar me nënstacionin ekzistues”, sqaroi Dalipi.
Zv/kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e këtij nënstacioni për furnizimin me energji në zonën e jugut, sidomos në periudhën turistike, kur numri i banorëve dhe vizitorëve rritet ndjeshëm. Ajo theksoi se energjia do të shkojë jo vetëm për familjet, por edhe për njësitë turistike dhe bizneset e bujqësisë në rajon.
“Ne duhet të kuptojmë që e gjithë zona e jugut tashmë është një zonë e cila e shumëfishon numrin e banorëve nga maji deri në tetor. Nga ana tjetër, është një zonë e rëndësishme edhe përsa i përket bujqësisë këtu dhe ne e kemi diskutuar nga fillimi që energjia në këtë zonë nuk duhet vetëm për banorët dhe flasim për 7 mijë abonentë që përfitojnë nga ky projekt. Këtu përfitojnë të gjithë njësitë turistike qofshin këto hoteleri, restorante, por edhe të gjitha njësitë e bujqësisë të ngritura në zonë”, nënvizoi Balluku.
Në lidhje me sezonin turistik aktual, ministrja vuri në dukje se deri tani furnizimi ka qenë i qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, ndërsa masat për garantimin e një shërbimi cilësor janë në fuqi për pikut e sezonit në muajt korrik dhe gusht.
Sipas saj, pritet një rritje prej 20-30% e kërkesës për energji krahasuar me vitin e kaluar, por sistemi energjetik është në pozita më të mira për ta përballuar këtë.
Në përfundim, Balluku nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis OST-së dhe OSSH-së për garantimin e qëndrueshmërisë së rrjetit, ndërkohë që nënstacioni i ri do të ndihmojë gjithashtu në uljen e humbjeve të energjisë në sistem.
“Performanca gjatë kësaj vere ka qenë shumë e mire. Akoma nuk kemi ardhur në pikun e sezonit, ndaj edhe ne jemi duke u përgatitur për korrikun dhe për gushtin, duke qenë se edhe të gjitha të dhënat që marrim nga njësitë turistike janë që do ketë një rritje me 20-30% të volumeve krahasuar me një vit më parë. Por ne jemi në pozita shumë më të mira se në 2024, që ka qenë një vit i mirë për përballimin e kërkesës me energji elektrike. Na duhet vëmendje e shtuar tek sistemi energjetik në këto momente qoftë linjat e transmetimit, qoftë edhe ato të shpërndarjes ku ndodhemi sot. Bashkëpunimi midis OST-së dhe OSSH-së është shumë i rëndësishëm”, tha Balluku./Versus.al







