Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 32 vite burg për Marjana Çmetën, e shpallur fajtore për vrasjen makabre të vjehrrës së saj, Lirie Lami, ngjarje e ndodhur në vitin 2017. Vendimi i formës së prerë erdhi pas rrëzimit të rekursit të paraqitur nga e pandehura, e cila kishte ankimuar vendimin e Apelit të datës 28 nëntor 2020.
Treshja gjyqësore e Gjykatës së Lartë vendosi mospranimin e rekursit, duke i dhënë fund procesit ligjor dhe duke e konsideruar të drejtë vendimin e mëparshëm të Apelit që e dënonte Çmetën me 32 vite burg për vrasje me paramendim.
Ngjarja makabre dhe zbardhja e saj
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Marjana Çmeta ndodhej vetëm në banesë me vjehrrën e saj në momentin e ngjarjes. Konfliktet e vazhdueshme mes tyre kishin precipituar në tragjedi më 2017, kur Çmeta i ofroi Lirie Lamit një pije frutash në të cilën kishte hedhur fotoksinë, një substancë helmuese. Kur pa që helmimi nuk po jepte efektin e dëshiruar, ajo kaloi në dhunë fizike, duke e mbytur të moshuarën me një shall.
Akti barbar nuk mbaroi aty: në përpjekje për të fshehur krimin, Marjana Çmeta ka reaguar me egërsi të madhe ndaj viktimës, duke e kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas, ajo njoftoi kunatin, i cili jetonte pranë, dhe e paraqiti ngjarjen si vetëhelmim aksidental, duke e dërguar viktimën në spital.
Megjithatë, dyshimet për versionin e saj u shtuan me kalimin e kohës. Djali i të ndjerës, bashkëshorti i Çmetës në atë kohë, deklaroi se kishte pasur raste ku nusja e kishte qëlluar të ëmën, madje e kishte kapur për flokësh. Pas ngjarjes, ai u divorcua nga Marjana Çmeta.
Fillimisht, e akuzuara mohoi përfshirjen në krim, duke pretenduar se kishte qenë në gjumë gjatë momentit të vrasjes. Por, një vit më vonë, e vërteta doli në dritë, kur një video rrëfimi i bërë nga vetë Çmeta tek hoxha Hysen Shehu, e zbardhi plotësisht ngjarjen. Rrëfimi i saj i detajuar, i regjistruar nga hoxha, u dorëzua si provë në Prokurori dhe u bë baza kryesore për dënimin e saj. /Versus.al/







