Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj për t’u liruar nga qelia ku po mbahet për abuzim me fondet e BE gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të “SASPAC”.
Avokati i ish ministrit të shëndetësisë, kërkoi ndryshim të masës së sigurisë me argumentin se nuk është marrë i pandehur nga SPAK dhe se nuk ka rrezik për tu larguar nga vendi, duke qenë se Beqaj është treguar bashkëpunues.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj në seancën e kësaj të premte, e cila nisi në orën 09.30.
Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen nga prokurorja Elida Kaçkini, për abuzimet me fondet e SASPAC. Në detajet e bëra publike sa i takon dosjes hetimore për Beqajn, u zbulua se vartësit e tij në agjencinë që iu besua, kryenin pagesa fiktive për biznese të ndryshme duke fryrë fatura për shërbime të pakryera, para të cilat më pas i merrnin dorazi nga administratorët e këtyre bizneseve. Versus.al








