
Lëvizje të mëdha tek kompanitë e shërbimeve publike. Pas ndryshimeve të detyruara në Korporatën Elektroenergjetike dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për shkak të arrestimit të drejtorëve, këtë fillim jave ndryshimet kanë prekur edhe sektorin e ujit.
Kapitali mësoi se Belinda Balluku ka shkarkuar Flauers Shoshin nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve duke e emëruar atë në krye të Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës. Shoshi zëvendëson në këtë post, ish drejtorin Skerdi Drenova, i cili u shkarkua në ditët e fundit të vitit të kaluar.
Ndërkohë burime i thanë Kapitalit se në krye të AKUK është komanduar përkohësisht Elidjana Çelajn, e cila më parë ka mbajtur poste drejtues në Postën Shqiptare, por ka shërbyer përkohësisht edhe si drejtoreshë e komanduar e Tatimeve.
Flauers Shoshi u bë i njohur për publikun gjatë krizës së ujit në Vlorë, kur deklaroi në protestën e qytetarëve vlonjatë se as ai nuk ishte larë se kishte qenë në terren gjithë kohës duke punuar për zgjidhjen e problemit./Kapital.al

