
Davide Pecorelli, biznesmeni italian i cili në shkurt të vitit të kaluar u dënua me 4 vite burg nën akuzën e inskenimit të vdekjes së tij në Pukë, do të ekstradohet për në Shqipëri.
Vendimi u miratua nga ministri i jashtëm italian, ndërsa Pecorelli tha se nuk do e apelojë duke pranuar që të ekstradohet drejt Shqipërisë.
"Kjo është padrejtësi e thellë, por nuk kam frikë, shqetësohem vetëm për familjen"- mësohet të ketë thënë biznesmeni për mediat italiane.
Gjykata e Shkodrës e shpalli fajtor italianin për mashtrim, dhunim varresh dhe shkatërrim të pronës me zjarr. Kërkesa për ekstradimin e Pecorellit drejt Shqipërisë u bë nga prokuroria e Pukës, ndërsa gjykata e Perugias e miratoi.

Si ndodhi ngjarja e pazakontë
Italiani Davide Pecorelli ndodhej në Shqipëri në vitin 2021 dhe në janar të këtij viti, u zhduk në Pukë, ku u gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira. Brenda saj u gjetën edhe mbetje skeletore duke e bërë të duket sikur ishte ai që ishte shkrumbuar nga flakët.
Analizat e AND-së zbuluan se skeleti i gjetur i djegur në makinë, i përkisnin një tjetër personi dhe jo pemës gjenetike të familjes Pecorelli.
Ndërkohë që autoritetet italiane e shqiptare hetonin ngjarjen, në shtator të 2021-it, Pecorelli u shfaq për mrekulli në një gomonte pranë ishullit Montecristo duke i habitur të gjithë edhe me ‘historinë’ e tij mbi zhdukjen 9 mujore.
“Po kërkoja një thesar”- deklaroi ai për autoritetet duke shokuar jo pak autoritetet. Por hetimet zbuluan se shkak për zhdukjen e tij mund të kenë qenë borxhet e shumta që ai kishte për biznesin e tij të parukerisë. Versus.al








