I kërkuari i drejtësisë shqiptare, Irfan Azizi, i njohur ndryshe si “Fania”, është arrestuar në Angli pasi dyshohet se ka thyer kushtet e lirimit me kusht gjatë procesit të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Azizi u arrestua më 26 prill 2026 në zonën Somerset nga policia britanike, pasi nuk ishte paraqitur për të firmosur në stacionin policor të Taunton çdo të martë dhe të enjte, siç ishte detyrimi i vendosur nga gjykata.
Pak javë më parë, mediat britanike raportuan se Azizi kishte tentuar të bllokonte ekstradimin drejt Shqipërisë, duke pretenduar se jeta e tij rrezikohej nga një atentat i mundshëm i organizuar nga Talo Çela.
Gjatë seancës gjyqësore në Britaninë e Madhe, ai deklaroi se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet. Azizi pretendoi se në vitin 2020 kishte shpëtuar për pak nga një atentat, ku sipas tij ishte qëlluar rreth 30 herë me armë automatike.
“Një plumb më shkatërroi dorën në 13 vende”, është shprehur ai para gjykatës britanike.
Azizi deklaroi gjithashtu se grupi kriminal që organizoi sulmin ndaj tij ka lidhje të forta dhe është i aftë të kryejë eliminime edhe ndaj figurave të rëndësishme.
Autoritetet shqiptare e kërkojnë për të vuajtur një dënim me një vit burg, pasi gjatë kohës që ndodhej në paraburgim iu gjet një telefon celular.
Në dëshminë e tij, ai bëri edhe deklarata të forta duke pretenduar se kishte paguar për të mbyllur çështje gjyqësore në Shqipëri, ndërsa këmbënguli se nuk dëshiron të ekstradohet për shkak të rrezikut ndaj jetës së tij dhe familjes.
Nga ana tjetër, prokuroria britanike hodhi dyshime mbi pretendimet e Azizit, duke theksuar se gjatë pesë viteve të qëndrimit në Angli nuk është regjistruar asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjarëve të tij./Versus.al

