Për herë të katërt, Italia po përgatitet të dërgojë emigrantë në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes për ngritjen e qendrës së pritjes në Gjadër. Këtë herë, ndryshe nga rastet e mëparshme, autoritetet italiane janë më të qarta në veprime, falë një dekreti të miratuar më 28 mars. Ky dokument u jep të drejtë autoriteteve të transferojnë jo vetëm emigrantët që kapen në det, por edhe ata që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Itali dhe që janë urdhëruar të dëbohen nga gjykatat, shkruan ANSA.
Pavarësisht përgatitjeve, ekzistojnë ende pasiguri rreth datës së saktë të mbërritjes dhe kombësisë së 40 emigrantëve që do të vijnë. Aktivisti i ActionAid, Francesco Ferri, dhe deputetja e Partisë Demokratike, Rachele Scarpa, të cilët vizituan qendrën në Gjadër, kanë ngritur shqetësime për mungesën e informacionit dhe transparencës. Ata theksojnë se me ndryshimin e administrimit të objektit është shtuar edhe më shumë paqartësia.
“Ne gjejmë një paqartësi të madhe,” tha Francesco Ferri, një aktivist i ActionAid dhe anëtar i tryezës për Azilin dhe Imigracionin që vizitoi qendrën sot.
“Kemi përshtypjen se me ndryshimin e marrësve të kësaj strukture – nënvizoi ai – është rritur edhe më tej niveli i paqartësisë, shenjë e vështirësisë nga ana e qeverisë”.
Ndërkohë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka reaguar mbi ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje. Sipas Avokatit të Përgjithshëm, vendet anëtare të BE mund të shpallin vende të tjera si “vende të sigurta origjine”, por duhet të bëjnë të ditura burimet e informacionit mbi të cilat mbështeten për këtë vlerësim. Kjo siguron të drejtën e gjykatave për të verifikuar legjitimitetin e vendimeve.
Në Gjadër, përgatitjet për pritjen e migrantëve janë drejt përfundimit. Aktualisht, kapaciteti i qendrës është për 48 persona, por autoritetet kanë në plan ta zgjerojnë në 144 vende. Drejtori i Policisë Kufitare dhe Emigracionit italian, Claudio Galzerano, e cilësoi qendrën shqiptare si një ndihmë të madhe për procesin e riatdhesimit, në kushtet kur qendrat ekzistuese në Itali janë të mbingarkuara dhe shpesh dëmtohen nga brenda.
Sipas tij, rritja e hapësirës me 15% do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të kthimit të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Aktualisht, Italia ka 10 qendra të tilla me një kapacitet teorik prej 1,400 vendesh, por vetëm rreth 700 janë funksionale për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme. /Versus.al/








