AKTUALITET /

Iu gjetën 19 kg kokainë, arrestohet shqiptari në Britani dhe dënohet me 12 vjet burg

Operacioni u finalizua më 5 shkurt, pas kontrolleve të kryera në zonën Beaufort Estate, Colindale, në veriperëndim të Londrës

Shkruar nga Versus

Iu gjetën 19 kg kokainë, arrestohet shqiptari në Britani dhe

Dy shqiptarë janë dënuar me burg nga Gjykata Harrow Crown Court në Britaninë e Madhe, pasi pranuan akuzat për trafik droge dhe posedim të armës së zjarrit.

Zyber Tusha, 47 vjeç, u dënua me 12 vite e 6 muaj burg, pasi pranoi akuzat për posedim të lëndëve narkotike të klasës A me qëllim shpërndarjeje, si dhe posedim të një arme zjarri.

Ndërsa Oltjan Serferi, 21 vjeç, pa adresë fikse, u dënua me 4 vite burg, pasi pranoi akuzën për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje.

Hetimi u zhvillua nga London Organised Crime Partnership, një strukturë e përbashkët e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA) dhe Policisë Metropolitane të Londrës. Operacioni u finalizua më 5 shkurt, pas kontrolleve të kryera në zonën Beaufort Estate, Colindale, në veriperëndim të Londrës.

Gjatë kontrollit në banesën e Zyber Tushës, autoritetet gjetën 19 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 1.5 milionë paund në treg, si dhe një pistoletë gjysmëautomatike Springfield, të mbushur me 14 fishekë.

Në banesë u sekuestruan gjithashtu 40,615 paund cash, gjashtë dokumente identiteti të falsifikuara, pesë telefona celularë dhe 21 kilogramë substancë prerëse, që dyshohet se përdorej për përzierjen e drogës.

Sipas hetuesve, gjatë momentit që policia po arrestonte Tushën, në vendngjarje mbërriti edhe Oltjan Serferi, i cili mbante një çantë me 4 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 320 mijë paund.

Sapo ka parë efektivët, Serferi ka hedhur çantën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur pak më vonë nga policia.

Autoritetet britanike bëjnë me dije se të dy shqiptarët ndodheshin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe, pas përfundimit të dënimeve me burg, do të deportohen drejt Shqipërisë.

Drejtuesi i hetimeve, Andrew Tickner, deklaroi se armët e zjarrit dhe droga e klasës A janë të lidhura ngushtë me aktivitetin e grupeve të krimit të organizuar dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë publike.

Sipas tij, autoritetet do të vijojnë operacionet për goditjen e rrjeteve kriminale dhe largimin nga rrugët e Londrës të personave të përfshirë në trafik droge dhe armëmbajtje./Versus.al

Poll