
Zjarret masive që kanë përfshirë Spanjën dhe Francën kanë shkaktuar një situatë alarmante, ndërsa mbi 65 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së flakëve.
Në Spanjë, një nga vatrat më të mëdha pranë Madridit ka dalë jashtë kontrollit. Autoritetet rajonale kanë pranuar se zjarri është në një fazë kritike dhe aktualisht është shumë i vështirë për t’u menaxhuar nga ekipet zjarrfikëse.
Shefi i menaxhimit të emergjencave në qeverinë rajonale të Madridit, Carlos Novillo, deklaroi se zjarri ka arritur kulmin dhe se shuarja e tij është përtej kapaciteteve aktuale të ekipeve në terren.
Flakët po përhapen drejt komunave Robledo de Chavela dhe Fresnedillas de la Oliva, të vendosura në perëndim të Madridit, ndërsa banorëve të këtyre zonave u është kërkuar të largohen menjëherë për shkak të rrezikut.
“Nuk është e mundur të luftohet zjarri në atë zonë, ndaj po ndërmerren masa mbrojtëse”, tha Novillo.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 25 mijë persona janë evakuuar, ndërsa mbi 20 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre për shkak të tymit dhe rrezikut nga flakët.
Situata është e rëndë edhe në Francë, ku në rajonin Gironde, në jugperëndim të vendit, një zjarr i madh ka detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 44 mijë persona gjatë dy ditëve të fundit.
Zjarrfikësit në të dyja vendet po vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit, por temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Autoritetet kanë ngritur nivelin e alarmit dhe po u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e emergjencave për të shmangur rrezikun./Versus.al

