
Besmir Gjezari ka lënë qelitë e burgut këtë të mërkurë, pasi është përfshirë në përfituesit e Amnistisë Penale. Pas lirimit, ai ka reaguar duke kundërshtuar dënimin e marrë dhe duke deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.
Gjezari pretendon se është dënuar padrejtësisht me 5 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa ka vuajtur 2 vite e 7 muaj dënim.
“Nuk jam kapur me lëndë narkotike dhe dënimi ndaj meje ka qenë i padrejtë. Tani do të nis procedurat ligjore për të kërkuar të drejtën time”, deklaroi ai pas daljes nga burgu.
Ai tha se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka qenë i shkëputur nga familja e tij, duke pretenduar se për më shumë se dy vite nuk ka mundur të takohet me të afërmit dhe veçanërisht me fëmijën e tij të mitur.
“Kam një fëmijë 3 vjeç, të cilin e lashë kur ishte vetëm një vjeç dhe nuk kam pasur mundësi ta shoh”, u shpreh Gjezari.
Përveç pretendimeve për padrejtësi në procesin gjyqësor, ai deklaroi se është përballur edhe me kërcënime ndaj tij dhe familjes.
“Jam i kërcënuar dhe ndihem i rrezikuar. Kërcënimet kanë qenë edhe ndaj familjes time”, tha ai.
Gjezari ka bërë të ditur se pas lirimit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të kundërshtuar vendimin dhe për të kërkuar një tjetër trajtim të çështjes së tij./Versus.al

