Gjatë seancës gjyqësore lidhur me vrasjen e ndodhur në lokalin “Kobra City” në janar të vitit 2023,dëshmitarja me inicialet A.S., e cila punonte në atë lokal në momentin e ngjarjes, dha një dëshmi të rëndësishme dhe të ngarkuar me akuza ndaj të pandehurve, veçanërisht Roland Susurit.
Sipas saj, menjëherë pas incidentit, Roland Susuri ishte parë duke hequr një CD nga sistemet e kamerave të sigurisë dhe duke e ç’kyçur pajisjen nga rryma elektrike. “E kam parë Rolandin duke e nxjerrë nga rryma dhe duke e larguar një CD. Madje më tha: ‘Çka po i hap sytë?’, deklaroi A.S., duke shtuar se në atë moment Susuri ishte i armatosur.
Dëshmitarja tregoi gjithashtu se ishte kërcënuar nga i akuzuari përmes të dashurës së tij, pasi ajo e kishte përmendur atë në një deklaratë të mëparshme dhënë në Prokurori. Ajo tha se ndihej e frikësuar dhe se përmendja e emrit të Susurit kishte sjellë pasoja për të.
Në rrëfimin e saj, A.S. përshkroi edhe momentin e konfliktit të armatosur, duke theksuar se të dyja palët – si grupi nga Kukësi, ku bënte pjesë viktima Visart Cengu, ashtu edhe grupi i Roland Susurit – ishin të armatosur. Sipas saj, pak pasi Dibran Hoxhaj kishte hyrë në lokal dhe kishte bërë presion verbal ndaj punëtorëve, në vendin e ngjarjes kishte mbërritur edhe policia.
Ajo mohoi zërat që ngjarja kishte lidhje me një faturë të papaguar prej 400 eurosh, duke theksuar se shkaku ishte një konflikt i mëhershëm. Sipas saj, viktima kishte ngacmuar të dashurën e Susurit dhe madje kishte bërë edhe video provokuese, çka kishte përshkallëzuar tensionet mes palëve. “I ndjeri i kishte thënë Susurit ‘mos më prek’ dhe kishte kërkuar të takohej me dajën e tij, Dibran Hoxhaj,” deklaroi A.S.
Në përballjen me deklaratën që ajo kishte dhënë më parë në Prokurori, A.S. deklaroi se ajo nuk i përkiste tërësisht asaj dhe se firma në dokument nuk ishte e saj. Kjo hedh dyshime serioze mbi mënyrën e mbledhjes së provave dhe procesin hetimor.
Në fund të seancës, dëshmitarja kërkoi që procesi të ndërpritej për arsye familjare, kërkesë e cila u pranua nga trupi gjykues. Gjyqi pritet të vijojë me dëshmitë e tjera dhe analizimin e provave të mbetura. /Versus.al/








