AKTUALITET /

Kërcënuan me thikë pronarët e një banese dhe grabitën 900 euro, arrestohen 2 të rinj në Tiranë

Në pranga janë vënë shtetasit Ersjan Senka, 20 vjeç, dhe Kristi Kacoli, 19 vjeç, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre i dyshuar, Xhoni Trampo, 21 vjeç

Shkruar nga Versus

Kërcënuan me thikë pronarët e një banese dhe

Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohen se grabitën një banesë nën kërcënimin e thikës, duke marrë 900 euro dhe katër telefona celularë.

Operacioni policor i koduar “Doorbell” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4, pas zbardhjes së ngjarjes së ndodhur në mesnatën e 23 qershorit 2026, në rrugën “Gjon Buzuku”.

Në pranga janë vënë shtetasit Ersjan Senka, 20 vjeç, dhe Kristi Kacoli, 19 vjeç, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre i dyshuar, Xhoni Trampo, 21 vjeç.

Sipas Policisë, tre të rinjtë dyshohet se kanë hyrë në banesën e dy qytetarëve, të cilët i kanë kërcënuar me mjete prerëse për t’u marrë më pas një shumë prej 900 eurosh dhe katër celularë.

Menjëherë pas denoncimit, uniformat blu nisën hetimet, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve të dyshuar në zonën e Alliasit. Gjatë operacionit janë sekuestruar 900 euro dhe katër celularë, të cilët dyshohet se janë sendet e vjedhura.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e përfshirjes së të dyshuarve në raste të tjera vjedhjesh.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Doorbell”, për zbardhjen e vjedhjes me mjete prerëse, kryer mesnatën e datës 23.06.2026, në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku”.

Kanosën me mjete prerëse, poseduesit e banesës, ku vodhën një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë, vihen në pranga 2 shtetas.

Identifikohet dhe bashkëpunëtori i tyre. Punohet për kapjen e tij.

Sekuestrohen 900 euro dhe 4 celularë, dyshohet të vjedhura.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera pas njoftimit se në banesën e 2 shtetasve, në rrugën “Gjon Buzuku”, në mesnatë, më datë 23 qershor 2026, ishin vjedhur nëpërmjet kanosjes me mjete prerëse, një shumë parash dhe 4 celularë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Doorbell”.

Në kuadër të operacionit u kapën në zonën e quajtur “Alliasi”, dhe u vunë në pranga bashkautorët e dyshuar, shtetasit E. S., 20 vjeç dhe K. K., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi Xh. T., 21 vjeç.=

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur me disa mjete prerëse, 2 poseduesit e banesës në rrugën “Gjon Buzuku”, për të vjedhur aty, një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë.

Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, në të cilën mund të jenë përfshirë këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.Versus.al

Poll