Me 3 vota pro dhe 2 kundër Komisioni Rregullator ka certifikuar ditën e sotme rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Pas këtij hapi, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka afat dhjetë ditë për të dekretuar fillimin e punimeve të legjislaturës së 11-të. Mbledhja e parë e Kuvendit do të shënojë nisjen zyrtare të mandatit të ri katërvjeçar.
Zgjedhjet e 11 majit prodhuan një fitore të thellë për Partinë Socialiste, e cila siguroi 83 mandate.
Në krahun tjetër, Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 50 vende në Kuvend.
Partia Socialdemokrate do të përfaqësohet me tre deputetë, subjekti politik “Mundësia” me dy, ndërsa koalicioni 'Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet' me një mandat.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, gjatë mbledhjes tha se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme, duke i bërë thirrje Komisionit Rregullator që të mos e certifikojë apo miratojë rezultatin përfundimtar.
Ai tha se jo vetëm farsë, por zgjedhjet ishin një rreth vicioz, ku u përfshi makineria shtetërore duke tjetërsua rezultatin.
“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira, ishin farsë elektorale me manipulim, blerje dhe tjetërsim të votës së lirë. Ne si PD-ADSHM nuk i njohim këto zgjedhje si të ligjshme dhe Komisioni Rregullator të mos e certifikojë rezultatin. Mos u bëni pjesë e kësaj farse dhe mos e miratoni apo shpallni rezultatin e 11 majit”.
Por përfaqësuesja ligjore e PS-së, e rrëzoi pretendimin e kolegut demokrat, duke kujtuar se rrethin vicioz e ka krijuar opozita që nga nisja e procesit.
“Kemi një rreth vicioz, por të krijuar nga PD që nga fillimi i këtij procesi dhe beteja ligjore me ankimimet. Zgjedhjet ishin të lira”, tha Elena Xhina mes të tjerave./Versus.al







