Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka zhvilluar një inspektim në kantierin e aksit rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore në juglindje të vendit. Gjatë vizitës së saj, Balluku deklaroi se deri tani janë realizuar mbi 85% e punimeve në të tre lotet e këtij aksi strategjik.
Në deklaratën për mediat, ministrja theksoi se pavarësisht vështirësive të shumta gjeologjike në terren, puna po ecën me ritme të shtuara dhe brenda standardeve teknike.
“Kemi hasur vështirësi të mëdha për shkak të natyrës së relievit dhe kushteve gjeologjike, por puna nuk është ndalur. Synimi ynë është që kjo vepër të përfundojë brenda sezonit veror dhe t’i vihet në dispozicion qytetarëve,” u shpreh Balluku.
Aksi Qukës–Qafë Plloçë është një pjesë kyçe e Korridorit VIII dhe ka rëndësi të veçantë për lidhjen mes zonave të brendshme të Shqipërisë dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut. Përveç përmirësimit të qarkullimit dhe reduktimit të kohës së udhëtimit, projekti pritet të ndikojë ndjeshëm edhe në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Balluku garantoi se qeveria do të vijojë të monitorojë nga afër progresin e punimeve, për të siguruar një përfundim cilësor dhe në kohë të këtij investimi të shumëpritur nga komuniteti lokal dhe më gjerë. /Versus.al







