AKTUALITET /

Kush ishte “Bisha” që komandonte nga Shqipëria: Çfarë zbulojnë përgjimet e rrjetit të heroinës dhe kokainës mes Shqipërisë, Italisë dhe Holandës

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë Italiane, emri i tij shfaqet si “Bestia” – Bisha. Por nën këtë nofkë nuk fshihet një figurë periferike e krimit të organizuar.

Shkruar nga Versus
Kush ishte “Bisha” që komandonte nga Shqipëria:
Fotomontazh: Adi Çobo, pjesë nga dosja e antimafias italiane

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë Italiane, emri i tij shfaqet si “Bestia” – Bisha. Por nën këtë nofkë nuk fshihet një figurë periferike e krimit të organizuar. Përkundrazi, “Bisha” është Adi Çoba, personi që, sipas autoriteteve, drejtonte nga Shqipëria një organizatë ndërkombëtare trafiku droge, e shtrirë në tre shtete: Shqipëri, Itali dhe Holandë.

Hetimet janë mbështetur fuqimisht në përgjime të sistemit të koduar SKY ECC, që kanë ekspozuar një rrjet kriminal funksional, të strukturuar dhe me komandë vertikale. Drejtuesi ishte në Shqipëri. Urdhrat jepeshin në kohë reale. Droga udhëtonte nga portet e Shqipërisë dhe Holandës për në Itali. Fitimet qarkullonin përmes kontakteve të besuara.

Komandat e “Bishës”: Si koordinohej paniku brenda rrjetit

Në një nga bisedat më domethënëse të përgjimeve, një kontroll policor në Bari shkakton alarm te anëtarët e organizatës. Nuredin Kiptiu, pasi mëson për bastisjen, dërgon menjëherë një mesazh:
“Duhet me lajmru Jubin.”
“Jubi” është pseudonimi i Agron Ganajt, i konsideruar krahu i djathtë i Çobës në terren.

Ganaj i përgjigjet me tone urgjente:
“Nëse më ka kap kamera kur i kam nxjerrë nga makina, kjo punë ka qenë e kotë. (...) Na dogji nga mungesa e trurit.”

Në një tjetër mesazh, dërguar në mesnatë, Ganaj kërkon konfirmim nga Çoba nëse “malli është në makinë” apo “është kthyer në banesë”. Të nesërmen, nervozizmi thellohet:
“Jo mo jo, ti nuk e kupton sa rëndë është kjo gjë. Nëse ka kap kamera, kemi ikur.”

Përgjimet zbulojnë më shumë se frikë. Zbulojnë organizim. Zbulojnë një mekanizëm disiplinor, ku çdo reagim i anëtarëve është i sinkronizuar. Bisedat nuk janë emocionale. Janë taktike. Ftohtësia me të cilën menaxhojnë krizën është dëshmi e një strukture që operon me rregulla të brendshme, pothuaj ushtarake.

Roli i Çobës: Udhëheqës, rekrutues, furnizues

Sipas dokumenteve zyrtare italiane, Adi Çoba, “në cilësinë e kreut dhe promovuesit të shoqatës kriminale, dërgonte korrierë nga jashtë për të transportuar sasi të mëdha heroine dhe kokaine, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda”.

Por ai nuk ishte vetëm një hallkë furnizimi. Ishte qendra e vendimmarrjes.
Nga Shqipëria, Çoba jepte urdhra për:

1. Rekrutimin e korrierëve;
2. Koordinimin e dërgesave nga portet;
3. Ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Itali;
4. Menaxhimin e pagesave dhe logjistikës.

Anëtarët e tjerë – shqiptarë dhe italianë – kishin role të përcaktuara.
Ganaj, Kiptiu, Fiore, Presi, Buonsante dhe Montedoro – të gjithë përmenden në dosje si pjesë e organizatës që ruante dhe shiste drogën në Itali, me qëllim përfitimi.

Një organizatë, jo një grup i rastësishëm

Përgjimet i japin fund idesë së një grupi të thjeshtë trafikantësh që veprojnë në mënyrë spontane. Ky ishte një rrjet me hierarki, me detyra të ndara dhe me komanda të qarta. Një organizatë që nuk lëvizte pa lejen e “Bishës”. Që nuk shpërndante pa urdhër. Dhe që nuk reagonte pa sinjal.

Pikërisht për këtë arsye, hetuesit italianë e kategorizojnë këtë grup si “shoqatë kriminale të strukturuar dhe të qëndrueshme”, ku Çoba është kreu dhe “promotori”.

Struktura: Roli i secilit i përcaktuar në detaj

Sipas dosjes italiane, Adi Çoba jo vetëm e drejtonte rrjetin nga Shqipëria, por kishte ngritur një strukturë të qartë funksionale, ku secili anëtar kishte detyra specifike:

Ganaj Agron dhe Kiptiu Nuredin kishin rol kyç në ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Itali.
Fiore Massimiliano, Presi Ergiels, Buonsante Andrea dhe Montedoro Giovanni kujdeseshin për pritjen në port, marrjen e dërgesave, si dhe për pagesat dhe logjistikën e shpërndarjes në territorin italian.
Drogat e furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda mbërrinin në Itali përmes korrierëve që vetë Çoba i zgjidhte dhe i dërgonte nga jashtë. Bëhej fjalë për sasi të mëdha heroine dhe kokaine që përdoreshin për trafik ndërkombëtar, jo për konsum lokal./Versus.al

Poll