Gjykata Kushtetuese ka në dorë të vendosë nëse Tirana do të udhëhiqet nga kryetari i bashkisë në detyrë Erion Veliaj, edhe pse ndodhet pas shkarkimit, apo nëse do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme për drejtimin e kryeqytetit.
Një ditë më parë, Veliaj mori pjesë në seancën maratonë të Kushtetueses, ku kërkoi shfuqizimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve më 9 nëntor dhe mosnjohjen e vendimit për shkarkimin e tij.
Gjykata ka tre mundësi: të rrëzojë kërkesën e Veliajt, të pranojë plotësisht ose pjesërisht kërkesën e tij. Nëse pranohet plotësisht, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe me pranga, ndërsa zgjedhjet do të anulohen. Në rast të rrëzimit të kërkesës, zgjedhjet e pjesshme në Tiranë do të zhvillohen, por jo më 9 nëntor, pasi presidenti nuk ka më kompetencë për këtë datë dhe Gjykata duhet të vendosë një afat të ri, duke respektuar kodin zgjedhor (30 deri në 45 ditë).
Në rast se zgjedhjet do të zhvillohen, periudha më e afërt është dhjetori, ndërsa data më e largët mund të shkojë deri më 14 janar. Vendimi i Kushtetueses pritet të merret brenda 30 ditëve nga ankimi i Veliajt, i cili pretendon se shkarkimi i tij është i paligjshëm.
Seanca e djeshme përballi Veliajn me presidencën dhe qeverinë, të cilat argumentuan se ai nuk ka të drejtë të ankimojë vendimin e shkarkimit pasi nuk ka qenë në detyrë prej 9 muajsh. Ky proces vendos fatin e bashkisë më të madhe të vendit dhe mund të ndikojë në mënyrën se si do të udhëhiqet Tirana në muajt e ardhshëm./Versus.al
