AKTUALITET /

Zbardhet rezoluta/ PS dhe PD në një linjë për negociatat dhe reformat drejt BE-së

Kuvendi miratoi rezolutën për procesin e integrimit europian, ku mazhoranca dhe opozita angazhohen për bashkëpunim politik, forcim të reformave, luftë kundër korrupsionit dhe përshpejtim të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shkruar nga Versus
Zbardhet rezoluta/ PS dhe PD në një linjë për negociatat dhe
Foto ilustruese

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë të gjerë për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik kombëtar dhe prioritet kryesor të vendit.

Rezoluta kërkon përshpejtimin e reformave kyçe në drejtësi, administratë publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

Po ashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet lirisë së medias, transparencës dhe forcimit të mekanizmave kundër dezinformimit.

Në dokument parashikohet edhe rritja e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat angazhohen për pjesëmarrje aktive në jetën parlamentare dhe për dialog politik të qëndrueshëm mbi procesin e integrimit.

Kuvendi i kërkon qeverisë të raportojë rregullisht mbi ecurinë e negociatave dhe të përshpejtojë përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së.

Rezoluta thekson gjithashtu nevojën për forcimin e transparencës në përdorimin e fondeve europiane, reformimin e prokurimeve publike, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor.

Në fund, Kuvendi rithekson se progresi drejt BE-së duhet të bazohet në meritë, rezultate konkrete dhe standarde demokratike.

Rezoluta

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr.15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i anëtarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si, funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike;

Duke marrë në konsideratë Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, miratuar në 5 maj 2026 në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET);

Duke mbajtur parasysh gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025;

Duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore, si dhe domosdoshmërinë e garantimit të transparencës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Duke theksuar se integrimi evropian kërkon transformim thelbësor, që përfshin harmonizim të ligjeve në përputhje me standardet evropiane, zbatim të plotë të tyre, rezultate konkrete dhe të matshme, përgjegjësi institucionale dhe gjithëpërfshirje;

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e besimit të publikut, garantimin e ndarjes reale të pushteteve, garantimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe dialogun konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror si themeli i një demokracie funksionale, kërkesa thelbësore për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;

Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme, strategjike dhe financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë;

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet:

Të forcojë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.

Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.

Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.

Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.

Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.

Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.

Të monitorojë luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.

Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane.

Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet dypalëshe me to.

Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave:

Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare.

Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësor dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I “Themelorët”.

Të sigurojë sinergjinë mes instrumenteve të ndryshme financiare të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillim, duke raportuar në mënyrë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mbështetjen e partnerëve për zhvillim për procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të garantojë parashikime të dedikuara buxhetore në çdo program buxhetor për zbatimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të anëtarësimit, me fokus të veçantë në mbështetjen për institucionet ligjzbatuese.

Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

Të përshpejtojë reformën në administratën publike në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian me qëllim rritjen e efikasitetit të saj dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.

Të mbrojë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet e BE-së.

Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.

I kërkon të forcojë më tej kapacitetet e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

I kërkon që të intensifikojë një fushatë ndërgjegjësuese mbi Bashkimin Evropian dhe standardet evropiane si nxitëse të transformimit evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

I kërkon të mbështesë më tej pushtetin vendor në forcimin e kapaciteteve të tij, për ta përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian./Versus.al

 

Poll