
Në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut për krimet e ndryshme të kryera prej tij, është pyetur edhe Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy lidhur me shpërthimin me tritol në lokalin e tyre në vitin 2022.
Rajku tha se nuk kishte asnjë dijeni për autorët dhe se nuk kishte konflikte me askënd. Ndërsa u pyet për reperin Kleviol Ahmeti, shokun e Laert Haxhiut që urdhëroi vendosjen e tritolit, Bashkim Rajku pranoi se kishte patur “fërkime” me reperin Noizy për çështje muzike, por jo diçka e rëndë apo përplasje fizike.
Bashkim Rajku: Ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në 2022. Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt, e kemi dëgjuar zhurmën. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i mbyllur lokali. Administratorja e dyqanit të rrobave është vajza ime, nuk ka qenë aty. Djali im është muzikant. Kur ka ndodhur ngjarja nuk e mbaj mend ku ka qenë. Djali jeton në banesë tjetër, aty afër, në të njëjtin pallat. Zbritëm kur dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë, nuk e di nëse ka zbritur njeri tjetër. Pashë xhamat e thyer, prishur gjithçka. Lokali 100 metër katror, në kat të parë të pallatit. Roje s’ka pasur. Ne nuk dimë asgjë me çfarë lidhej ngjarja. Nuk e njoh as nuk e di autorin. S’kemi pasur probleme me askënd. Djali artist është, ku di gjë unë… Konflikt të madh nuk kemi, por çështje xhelozie…
Prokurori: E ke dëgjuar një Kleviol Ahmeti?
Bashkim Rajku: Ka pasur fërkime, çështje xhelozie me djalin tim. Më duket se nga Lushnja është.
Prokurori: Kur thoni xhelozi, për çfarë?
Rajku: Për punë muzike, edhe ai është këngëtar. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre. Versus.al


