
Elton Kila, i njohur me nofkën “Ot Kila”, ka reaguar pas raportimeve se nipi i tij ka qenë objektiv i atentatit të ndodhur në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona.
Në një postim në rrjetet sociale, Kila ka mohuar që nipi i tij të ketë qenë shënjestër e sulmit, duke deklaruar se ai ndodhej rastësisht në lokal dhe nuk ka asnjë lidhje me atentatin.
“Nipi im ka qenë aty rastësisht dhe nuk ka të bëjë fare me këtë rast”, është shprehur Kila në reagimin e tij.
Atentati ndodhi në një lokal në lagjen “Banesa” në Elbasan, ku një person i maskuar hapi zjarr duke plagosur tre persona: Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç dhe kamarierin 19-vjeçar Bjorgi Hoxha.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorit, i cili pas sulmit u largua nga vendi i ngjarjes dhe dyshohet se humbi gjurmët në një përrua pranë zonës. Gjatë arratisjes, autori hodhi edhe armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor dhe po i nënshtrohet ekspertizës./Versus.al

