AKTUALITET /

Rama mbledh grupin parlamentar dhe kabinetin të premten, a do të ketë ndryshime në qeveri?

Skenari për një riformatim të kabinetit është rikthyer në vëmendje pas protestave të vazhdueshme kundër qeverisë dhe thirrjeve për një ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Shkruar nga Versus

Rama mbledh grupin parlamentar dhe kabinetin të premten, a do të

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet këtë të premte, më 24 korrik, në një takim të zgjeruar nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa vëmendja është përqendruar te mundësia e një riformatimi të kabinetit qeveritar.

Sipas agjendës zyrtare, mbledhja do të zhvillohet në orën 09:30 dhe do të nisë me fjalën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili pritet të paraqesë bilancin e drejtimit të Parlamentit, përfshirë proceset e digjitalizimit dhe projektin për godinën e re të Kuvendit.

Më pas, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të prezantojë bilancin e punës së grupit dhe angazhimin e deputetëve socialistë. Në mbledhje është parashikuar kohë e kufizuar për diskutimet e deputetëve.

Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen është fakti se puna e deputetëve pritet të analizohet edhe për angazhimin në rrjetet sociale, pasi kryeministri Rama ka ndjekur vazhdimisht aktivitetin online të tyre.

Takimi do të mbyllet me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili pritet të bëjë një analizë të vitit të parë të mandatit të katërt qeverisës.

Megjithatë, përtej agjendës zyrtare, diskutimet janë përqendruar te mundësia e ndryshimeve në qeveri. Skenari për një riformatim të kabinetit është rikthyer në vëmendje pas protestave të vazhdueshme kundër qeverisë dhe thirrjeve për një ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të precedentit të mëparshëm, kur ndryshimet në kabinet u njoftuan në përfundim të një mbledhjeje të ngjashme të grupit parlamentar të PS-së./Versus.al

 

Poll