AKTUALITET /

Policia aksion ndaj makinave me xhama të zinj pa leje, Lamallari: Nuk ka tolerime, rregullat janë njësoj për të gjithë!

Sipas të dhënave të policisë, gjatë dy javëve të fundit janë ndëshkuar më shumë se 500 drejtues automjetesh për përdorimin e xhamave të errësuar pa autorizim.

Shkruar nga Versus

Policia aksion ndaj makinave me xhama të zinj pa leje, Lamallari: Nuk ka

Policia Rrugore ka nisur kontrollet ndaj automjeteve me xhama të errësuar pa leje, ndërsa ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerime për shkelësit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, shoqëruar me pamje nga aksioni policor, Lamallari deklaroi se përdorimi i xhamave të errësuar në kundërshtim me ligjin nuk do të lejohet dhe se çdo shkelje do të ndëshkohet.

“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit”, u shpreh ministri.

Sipas tij, rrugët janë hapësira publike ku rregullat e sigurisë duhet të zbatohen njësoj për të gjithë qytetarët, pa përjashtime.

“Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë”, theksoi Lamallari.

Kontrollet e Policisë Rrugore po zhvillohen në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e sigurisë dhe zbatimin e legjislacionit për qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë dy javëve të fundit janë ndëshkuar më shumë se 500 drejtues automjetesh për përdorimin e xhamave të errësuar pa autorizim./Versus.al

Poll