
Në ditën e 52-të të protestës para Kryeministrisë, aktivistët kanë deklaruar se do të vijojnë rezistencën qytetare deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Një prej aktivistëve që mbajti fjalimin hapës të protestës së sotme u shpreh se qëllimi i kësaj lëvizjeje është realizimi i ndryshimeve politike dhe kushtetuese, të cilat sipas tij do t’i hapin rrugën zgjedhjeve të lira pas një qeverie tranzitore.
“52 ditë në shesh për të bërë të mundur ndryshimin që ky kryeministër dhe kjo klasë politike nuk e bëri dot për 36 vite. Nuk e di sa ditë do të na duhet të qëndrojmë, por jam i sigurt se do të jemi këtu deri në ditën që ky kryeministër do të japë dorëheqjen”, deklaroi ai.
Sipas aktivistit, dorëheqja e qeverisë do të krijonte mundësinë për ndryshime të thella institucionale, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të garantonin, sipas tij, zgjedhje të lira dhe të pavarura.
Gjatë fjalës së tij, ai përshëndeti edhe protestën e zhvilluar nga qytetarët e Prrenjasit kundër mundësisë së ndryshimit të statusit të bashkisë, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilësoi si një problem të shpopullimit të vendit.
“Këto ndryshime ligjore dhe kushtetuese duhen për të ndryshuar një sistem të hapur nga nepotizmi, krimi dhe korrupsioni”, u shpreh aktivisti.
Në përfundim të fjalës së tij, ai bëri thirrje për vijimin e rezistencës qytetare deri në largimin e qeverisë, duke akuzuar mazhorancën për korrupsion dhe për politikat që, sipas tij, kanë ndikuar në largimin e qytetarëve nga vendi./Versus.al

