
Një 25-vjeçar me origjinë shqiptare ka refuzuar marrëveshjen e fajësisë në një çështje penale në Miçigan të Shteteve të Bashkuara, ku akuzohet për tentativë rrëmbimi të dy vajzave të mitura.
Mediat amerikane shkruajnë se Endi Bala u paraqit në Gjykatën e Mount Clemens, ku pritej të pranonte një marrëveshje procedurale “no contest”, që do të nënkuptonte moskundërshtimin e akuzave pa një pranim formal të fajësisë. Por në momentin e fundit, ai u tërhoq nga marrëveshja dhe vendosi që procesi të vijojë në gjykatë.
Gjatë seancës, 25-vjeçari shkaktoi reagime të forta pasi u filmua duke i treguar gishtin e mesit familjarëve të vajzave të mitura që dyshohet se kanë qenë viktima të tentativës së rrëmbimit.
Sipas autoriteteve amerikane, Bala akuzohet se në gusht të vitit 2024 ka tentuar të rrëmbejë dy vajza, përkatësisht 7 dhe 15 vjeç, në dy raste të ndara brenda një periudhe prej rreth 45 minutash.
Endi Balla do të rikthehet në gjykatë më 24 gusht për një seancë paraprake. Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, gjyqi ndaj tij është planifikuar të nisë në muajin tetor./Versus.al

