
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Sipas burimeve, Beqaj kërkon që masa e vendosur ndaj tij të zëvendësohet me një masë më të butë, duke ofruar si alternativë edhe garanci pasurore.
Kjo është përpjekja e dytë e ish-ministrit për të lënë qelinë. Më 13 maj, ai kishte bërë një kërkesë të ngjashme në gjykatë, duke propozuar një garanci financiare prej 20 mijë eurosh, por kërkesa e tij nuk u pranua.
Ilir Beqaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 4 korrikut 2024, në kuadër të dosjes së sterilizimit, një koncesion me vlerë rreth 100 milionë euro.
Gjykata e Posaçme, më 28 maj, vendosi që Beqaj të gjykohet veçmas për akuzat e ngritura ndaj tij, përfshirë vjedhjen duke shpërdoruar detyrën dhe përfshirjen në grup të strukturuar kriminal.
Fillimisht, ndaj ish-ministrit ishin caktuar masa më të lehta sigurie, si detyrimi për paraqitje periodike dhe ndalimi i daljes jashtë vendit, por më pas masa ndaj tij u rëndua.
Çështja e sterilizimit është një nga dosjet kryesore të hetuara nga SPAK. Në kuadër të saj, në gusht 2023 u arrestua edhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në bashkëpunim./ Versus.al

