
Një kosovar nga rajoni i Wilit në Zvicër është dënuar me 44 muaj burgim nga Gjykata Kantonale e St. Gallenit, pasi u shpall fajtor për dhunë të rëndë ndaj partneres së tij shtatzënë.
Sipas mediave zvicerane, mes tyre “St. Galler Tagblatt”, ndaj tij rëndonin akuza për tentativë të ndërprerjes së dhunshme të shtatzënisë, tentativë për lëndim të rëndë trupor, privim të lirisë, kërcënim dhe vepra të tjera penale.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe largimin e tij nga territori i Zvicrës për një periudhë 8-vjeçare, si dhe rritjen e dëmshpërblimit financiar që ai duhet t’i paguajë viktimës.
Procesi i apelit u zhvillua pa praninë e të akuzuarit. Ai, përmes avokatit të tij, deklaroi se ndodhej në Kosovë dhe kërkoi pafajësi për akuzat kryesore. Megjithatë, gjykata nuk pranoi argumentet e mbrojtjes dhe konfirmoi qëndrimin e prokurorisë.
Ngjarja për të cilën ai u dënua ka ndodhur kur partnerja e tij ishte në javën e nëntë të shtatzënisë. Sipas hetimeve, pas një konflikti të nxitur nga xhelozia, ai ushtroi dhunë ndaj saj, duke e sulmuar fizikisht dhe duke e goditur në bark me qëllim ndërprerjen e shtatzënisë.
Gjykata vendosi dëbimin e tij nga Zvicra edhe pse ai kishte lindur në këtë shtet. Prokuroria e argumentoi këtë masë me sjelljen e tij pas lindjes së fëmijës, duke pretenduar se ai nuk kishte treguar interes për të dhe nuk kishte kontribuar në rritjen e tij.
Krahas burgimit dhe dëbimit, ndaj tij është caktuar edhe një gjobë financiare si dhe trajtim i detyrueshëm psikiatrik./Versus.al

