AKTUALITET /

Ervis Martinaj i zhdukur prej 3 vitesh, SPAK e çon për gjykim bashkë me Nuredin Dumanin dhe 7 të tjerë për dosjen “Metamorfoza”

Hetimet janë kryer në mungesë për shumicën e të pandehurve, pasi masat e sigurisë ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej gati tre vitesh.

Shkruar nga Versus

Ervis Martinaj i zhdukur prej 3 vitesh, SPAK e çon për gjykim

SPAK ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim 9 persona të dyshuar për vepra të rënda penale, mes tyre dhe Ervis Martinaj i zhdukur prej 4 vitesh.

Hetimet janë kryer në mungesë për shumicën e të pandehurve, pasi masat e sigurisë ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej gati tre vitesh.

Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë mbyllur hetimet për Ervis Martinajn, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si dhe për Denis Bajrin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrën, Eljon Haton dhe Arsad Bashlin.

Pjesë e listës së të pandehurve është edhe Nuredin Dumani, i cili ndodhet në paraburgim dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Dumani po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”.

Ndaj 9 të pandehurve SPAK ka ngritur akuza për “Vrasje me paramendim”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Çështja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet hedhja e shortit për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin e dosjes në gjykim.

Nga 9 personat e dërguar për gjykim, vetëm dy prej tyre ndodhen aktualisht në pranga: Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, dhe Denis Bajri./Versus.al

Poll