
Gazetarja e njohur vlonjate, Afrovita Hysaj, ka rrëfyer momentet e fundit të jetës së kolegut dhe mikut të saj, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me motor ATV në zonën e Zvërnecit.
Hysaj tha se ngjarja ka lënë pas disa pikëpyetje, duke nisur nga fakti që Enriku ndodhej vetëm, në shoqërinë e një 18-vjeçari, ndërkohë që zakonisht udhëtonte me vëllanë dhe grupin e tij të miqve.
Sipas saj, as vëllai i Enrikut, Fabio Mehmeti, nuk kishte dijeni për udhëtimin e tij drejt Zvërnecit atë mbrëmje.
Gazetarja zbuloi se, pavarësisht aksidentit, Enriku kishte qenë i vetëdijshëm në momentet e para dhe kishte telefonuar menjëherë të vëllanë për t'i kërkuar ndihmë.
"Enriku e donte aventurën dhe këtë e tregoi edhe udhëtimi i tij i fundit drejt Zvërnecit me motor. Megjithatë, mbeten disa pikëpyetje, pasi ai u gjet vetëm në praninë e një 18-vjeçari. Një tjetër pikëpyetje është fakti që vëllai i tij nuk e dinte se ai do të nisej drejt Zvërnecit atë mbrëmje. Ka qenë vetë Enriku që, menjëherë pas aksidentit, ka telefonuar Fabion dhe i ka kërkuar të nxitonte për ta shpëtuar", u shpreh Hysaj.
Dëshmia e gazetares hedh dritë mbi momentet dramatike pas aksidentit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike që i mori jetën gazetarit Enrik Mehmeti./Versus.al

