AKTUALITET /

Atentati në Elbasan/ Autori u maskua me paruke bionde dhe maskë Halloween, u ndoq nga fëmijët para se të hapte zjarr

Shkruar nga Versus

Atentati në Elbasan/ Autori u maskua me paruke bionde dhe maskë

Detaje të reja kanë dalë nga atentati me armë zjarri i ndodhur në lagjen “Banesa” në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona.

Hetimet kanë zbuluar se autori kishte përdorur një kamuflim të pazakontë për të mos u identifikuar.

A2 thotw se sipas burimeve hetimore, ai iu afrua lokalit i veshur me xhup të zi, doreza, paruke bionde dhe një maskë Halloween.

Pamja e tij bëri që pesë fëmijë, të cilët ndodheshin rastësisht në zonë, ta ndiqnin për disa minuta duke qeshur dhe duke e konsideruar si pjesë të një loje.

Pasi u largua nga fëmijët, autori iu afrua verandës së lokalit dhe hapi zjarr, duke qëlluar shtatë herë drejt klientëve. Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, 19-vjeçari Bjorgi Hoxha. Fatmirësisht, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime policore bëjnë me dije se asnjëri prej të plagosurve nuk ishte objektivi i atentatit. Sipas hetimeve paraprake, shënjestra dyshohet të ketë qenë shtetasi F. Sharra, i cili ndodhej në të njëjtin ambient në momentin e sulmit.

Pas atentatit, autori u largua me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa u vu në ndjekje nga një efektiv policie që ndodhej jashtë shërbimit në lokal së bashku me dy fëmijët e tij. Edhe pse i paarmatosur, polici tentoi ta ndalonte autorin.

Gjatë arratisjes, autori hodhi pistoletën në tokë, armë që është sekuestruar nga grupi hetimor dhe pritet t'i nënshtrohet ekspertizës për të siguruar prova që mund të çojnë në identifikimin e tij.

Sipas kamerave të sigurisë, autori u largua me vrap drejt një përroi, ku humbi gjurmët. Ndërkohë, hetuesit po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, ndërsa po hetohen të gjitha pistat, përfshirë atë të një përplasjeje mes grupeve kriminale./Versus.al

 

Poll