
Mbrëmjen e sotme qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Prrenjasit në një protestë kundër ndarjes territoriale që i bashkon ata me bashkinë e Librazhdit.
Banorët kërkuan që bashkia të vijojë të ekzistojë si njësi e pavarur vendore, duke theksuar se kjo është një çështje që lidhet me interesin e gjithë komunitetit.
Ish-kryetarë bashkie, ish-deputetë dhe përfaqësues të tjerë të zonës janë shprehur gjithashtu kundër mundësisë së bashkimit me Librazhdin, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ndikonte në administrimin e shërbimeve publike, përfaqësimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të Përrenjasit.
Ndërkohë, qytetarët kanë paralajmëruar se do t’u drejtohen institucioneve qendrore me peticionin e firmosur dhe nuk përjashtojnë protesta të tjera nëse propozimi për ndryshimin e statusit të Bashkisë së Prrenjasit vijon të jetë pjesë e diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.
Sipas të dhënave të publikuara nga përfaqësues vendorë, Bashkia e Prrenjasit ka mbi 20 mijë banorë dhe renditet ndër bashkitë me popullsi mesatare në vend./Versus.al

