Dy ushtarakë shqiptarë janë shpallur fitues në garën elitare “Best Warrior 2026”, të organizuar nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Nju Xhersit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bëhet fjalë për Marjus Caulin dhe Hambel Peçin, të cilët triumfuan në kategoritë e tyre pas një gare intensive katërditore që vuri në provë aftësitë fizike dhe ushtarake të pjesëmarrësve.
Lajmi u bë publik nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila theksoi se gjatë konkurrimit ushtarakët u përballën me sfida të ndryshme, përfshirë kurse me pengesa, prova të rezistencës fizike, ushtrime luftarake në ujë, orientim në terren dhe qitje me sisteme të ndryshme armësh.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror mes Gardës Kombëtare të Nju Xhersit dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, një bashkëpunim që prej vitesh konsiderohet kyç në forcimin e marrëdhënieve ushtarake mes dy vendeve.
Në reagimin e saj, Ambasada e SHBA-së e cilësoi suksesin e ushtarakëve shqiptarë si një tregues të profesionalizmit dhe bashkëpunimit të suksesshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

