AKTUALITET /

Qëllohet me breshëri plumbash ndërtesa e "CFO Pharma"! Autorët hapën zjarr nga makina

Kompania farmaceutike është në pronësi të Nadir Çaushollit, i cili rezulton të jetë arrestuar në 2015-ën për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Shkruar nga Versus
Qëllohet me breshëri plumbash ndërtesa e "CFO Pharma"!
Fotomontazh: Pronari Nadir Çausholli dhe në sfond godina e "CFO Pharma"

Tiranë- Godina e e CFO Pharma është qëlluar me breshëri plumbash rreth orës 02:00 të mëngjest të 18 marsit.

Mësohet se autorët kanë qëlluar mbi 20 plumba drejt fasadës së godinës, ndërsa janë larguar me një automjet me të cilin qarkullonin në Kashar-Mëzez. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.

Policia në njoftimin e dhënë, nuk ka publikuar detaje konkrete mbi ngjarjen, duke thënë se u njoftua vetëm në orën 08:10 të mëngjesit. 

"Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit"- bën me dije policia. 

Kompania është në pronësi të Nadir Çaushollit, i cili njihet edhe si mik i kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj. Në 2017-ën, bashkia e Tiranës e shpalli “CFO Pharmën” si biznesin e vitit.

Ndërsa më herët, në tetor të 2015-ës, Nadir Çausholli u arrestua pasi nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Tatimeve, rezultoi se nëpërmjet kompanisë së tij “Omega farma” ka arritur të përfitoi me anë të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit” me pasoja të rënda, rreth 2.2 milionë euro nga fondi i ilaçeve të rimbursueshme. Versus.al

Poll