
Protesta kundër projektit të Zvërnecit ka nisur me fjalime kundër qeverisë duke i kërkuar Ramës të japë dorëheqjen.
Sikurse në protestat e mëparshme, fjalimin e ka hapur Luçiana, banore e Rrjollit që prej muajsh bashkë me qytetarë të tjerë është duke u përballur me një tjetër betejë, në Rrjoll kundër zaptimit të pronave nga një biznes që kërkon të ndërtojë resort turistik.
Luçiana i është drejtuar të pranishmëve me një thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e çdo provokimi, duke theksuar se protesta duhet të mbetet paqësore.
Ajo deklaroi gjithashtu se pjesëmarrësit do të vijojnë qëndrimin në shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Kemi një thirrje të madhe për të gjithë, e arritëm qëllimin dhe erdhëm sërish këtu para kryeministrit. Këtu do rrimë deri sa ai të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se protesta është e qytetarëve dhe nuk ka nevojë për organizatorë të veçantë, duke theksuar se dialogu, sipas saj, po zhvillohet në shesh përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve.

