AKTUALITET /

Mafia shqiptare në Meksikë: operacioni i pastrimit të parave që lidh Ballkanin me klanin Sinaloa

Uashingtoni zbuloi një rrjet kazinosh që pastronte para përmes lojërave të simuluara. Pas tyre qëndron një klan i vendosur në Meksikë, pjesë kyçe e një rruge kriminale që lidh Sinaloan me Ballkanin.

Shkruar nga Versus

Mafia shqiptare në Meksikë: operacioni i pastrimit të parave

Nga Oscar Balderas, DOSSIER POLITICO

Imagjino se je një trafikant droge që sjell në këtë kontinent një ngarkesë armësh nga Evropa Lindore; se kartelët meksikanë të kanë paguar një shumë të majme – të themi 50 milionë dollarë në para të gatshme – për ato pushkë dhe municione; por ajo që dukej si bekim është kthyer në mallkim: pasi merr paratë, për shembull në shtetin e Sinaloas, e kupton se nuk mund t’i nxjerrësh sërish drejt “kontinentit të vjetër” as nga ajri e as nga toka.

Ke nevojë për diçka që të ndihmojë të fshehësh origjinën e paligjshme të këtyre parave, sepse një shumë e tillë do të të tradhtonte menjëherë si mafioz.

Tani imagjino që afër hotelit tënd ka një kazino. Një vend ku çdo ditë realizohen mijëra transaksione financiare dhe shumica kalojnë pa u vënë re për shkak të një sistemi mbikëqyrës të tejngarkuar dhe të vjetëruar.

Edhe më mirë: atij biznesi përballë i pëlqejnë klientët që sjellin para në dorë. Kështu që mbledh 50 të njohur dhe secili shkëmben nga një milion dollarë në zhetona me bekimin e pronarëve. Tani paratë e tua të jashtëligjshme kanë marrë një funksion legal: lojën e fatit, një aktivitet i lejuar në Meksikë.

Grupe prej pesë miqsh ulen në të njëjtën tavolinë pokeri. Bëjnë sikur nuk njihen dhe luajnë sikur xhetonat të ishin të pafundme. Disa humbasin shumë, të tjerë fitojnë pak, dhe këtë e bëjnë për një kohë rekord.

Rezultati nuk ka rëndësi. Ajo që vlen është “të humbasësh qëllimisht” kundër një bashkëpunëtori që “fiton me fat”.

Pas disa orësh, objektivi arrihet: të simulohet një aktivitet aq gjatë dhe aq bindshëm sa autoritetet të mos dyshojnë kur të 50 njohurit shkojnë në arkë për të kthyer fitimet.

Disa marrin çeqe ose transfertë bankare të regjistruara si fitime nga lojërat e fatit ose si rimbursim për xhetona të papërdorura; ata pastaj t’i dorëzojnë ty këto para tashmë të pastruara: para të dala nga fati, jo nga krimi. Të tjerë kërkojnë që pagesa t’u bëhet direkt në një llogari bankare jashtë vendit, të cilën ti e kontrollon. Origjina ligjore e parave shkruan qartë: “Kazino Filani, S.A. de C.V.”, një kompani e ligjshme që paguan taksat me rregull.

Kështu që ti vetëm paguan një komision për lojtarët e tu, një tjetër për kazinonë dhe je gati të kthehesh në Evropë me miliona në një llogari bankare, pa mbajtur me vete asnjë kartëmonedhë të përgjakur. Humbët pak, por lave shumë.

Pikërisht këtë skemë, të thjeshtuar, e zbuloi qeveria e SHBA tre vjet më parë dhe e konfirmoi disa javë më parë: një rrjet kazinosh që pastronte para përmes lojërave të simuluara. Në këtë shembull hipotetik kazinoja është një investim i Kartelit të Sinaloas dhe ti je një anëtar i rëndësishëm i mafias shqiptare.

Dyshimet për pastrimin e parave nga klani Hysa

Më 12 nëntor, punonjësit e Casino Skampa dhe restorantit Ochuna në Ensenada, si dhe të qendrës së basteve Midas Casino në Playas de Rosarito, u dëbuan papritur nga vendet e punës.

Ata sapo po përgatiteshin për hapjen kur një grup zyrtarësh federalë u urdhëruan të dilnin menjëherë. Në mes të kaosit, mësuan se Ministria e Brendshme po përsëriste të njëjtën manovër me 10 biznese të tjerë të së njëjtës familje: një bastisje e sinkronizuar nga Baja California deri në Sinaloa.

Operacionet e tilla janë të rralla në Meksikë për shkak të numrit të madh të personelit dhe nivelit të lartë të sekretit. Çdo rrjedhje informacioni mund të sabotojë gjithçka. Por ekipi i ngarkuar nga ministrja Rosa Icela Rodríguez nuk mund të gabonte: kishin urdhra të nënshkruar nga gjyqtarë federalë, të aktivizuar me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme nën presion të Shtëpisë së Bardhë.

Presionet vinin veçanërisht nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit, e cila disa javë më parë kishte lëshuar një alarm të kuq: mafia shqiptare po pastronte para në Meksikë përmes kazinove dhe restoranteve luksoze të lidhura me qendrat e lojërave të fatit, shumë afër fraksionit “La Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, të besueshëm ndaj Mayo Zambadas.

Dhe me “mafia shqiptare” i referoheshin një familjeje të vetme: Hysa — një klan i vendosur në veri të Meksikës, me rrënjë në Elbasan, Shqipëri, vend i njohur për kontrabandistët në epokën sovjetike.

Ata janë pronarët e atyre bizneseve që dyshohet se po e ndihmonin financiarisht La Mayizan në luftën kundër djemve të Chapo Guzmán dhe në përpjekjet për të zgjeruar aktivitetet kriminale në SHBA.

Më 13 nëntor, qeveria amerikane deklaroi:

“Grupi kriminal Hysa, i përbërë nga Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon, ka përdorur ndikimin e tij përmes investimeve dhe bizneseve të ndryshme në Meksikë për të pastruar paratë e trafikut të drogës. Besohet se ky grup funksionon me pëlqimin e Kartelit të Sinaloas.”

Ata po hetohen edhe në Kanada dhe Poloni.

Nuk është hera e parë që klani Hysa përflitet për pastrim parash. Në vitin 2022, Luftar Hysa shpenzoi miliona peso në njoftime në gazetat më të mëdha të vendit për të mohuar lidhjet me Mayo Zambadën.

“Janë fjalë të liga. Nuk e njoh Ismael El Mayo. Nuk e kam parë kurrë. Dhuntitë e mia të vetme janë karizma dhe aftësia për biznes”, – deklaronte ai.

Tre vjet më vonë, bizneset e tij janë mbyllur me urdhër të presidentit Donald Trump. Autoritetet amerikane thonë se skema hipotetike që përshkruam ndodhi për vite me një nivel të lartë sofistikimi.

Mafia shqiptare në Meksikë: operacioni i pastrimit të parave
Luftar Hysa

Mafia shqiptare dhe aleancat në Ballkan

Mafia shqiptare në Ballkan dhe në Amerikë Latine

Mafia shqiptare, e lindur si rrjet klanesh me lidhje gjaku, nderi e besnikërie, u fuqizua pas konflikteve të viteve ’90. Ajo bëri aleancë me ’Ndrangheta-n italiane, duke kombinuar rrugët ballkanike të trafikut me ekspertizën italiane në pastrim parash.

Kjo aleancë konsolidoi rolin e Ballkanit në tregtinë e kokainës, heroinës, armëve, trafikut të njerëzve dhe pastrimit të parave në Evropë.

Më pas, mafia shqiptare u zgjerua në Amerikën Latine, duke u infiltruar në Kolumbi, Venezuelë, Ekuador, Peru dhe Brazil — jo me dhunë, por me aleanca të fshehta me grupet vendase.

Rreth vitit 2020, Karteli i Sinaloas Sinaloa dhe CJNG – megjithëse të famshëm për dhunë ekstreme – arritën të bindin fiset shqiptare të hapnin dyert për tregtinë drejt Evropës.

Kështu u krijua një trekëndësh kriminal i fuqishëm: Meksikë – Shqipëri – Itali. Meksikanët sjellin drogë dhe kapital; italianët rrjetin financiar dhe tregtar; shqiptarët logjistikë dhe pastrim parash.

Dhe tani… kush do të jetë “pastruesi” yt i ardhshëm?

Imagjino sërish se je trafikant, ke sjellë një ngarkesë tjetër armësh nga Evropa Lindore, por mafia shqiptare është tani nën hetim nga SHBA. Nuk mund të mbështetesh më te klanet e tyre.

Por krimi i organizuar i Ballkanit ka një ofertë të re: bullgarë, rumunë, kroatë, grekë e deri te turqit, të famshëm për “ndërmjetës” që lidhin familjet kriminale nga kontinenti në kontinent.

Kë do zgjedhësh për të qenë pastruesi yt i radhës në një kazino në Sinaloa?

Poll