Versus.al ka siguruar pjesë nga dosja e hetimeve për abuzimin me fondet e “SASPAC” që solli më pas arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.
Ermal Kurtulaj koordinator në agjencinë e menaxhimit të ndihmave të BE që drejtonte Ilir Beqaj, shfaqet në përgjime teksa komunikon me subjekte të ndryshme tregtare të cilave u kërkon prerjen e faturave fiktive për “SASPAC” për shërbime që ato nuk i ofrojnë dhe më pas tërheqjen e këtyre parave nëpërmjet bankave.
Kurtulaj i telefon një personi të identifikuar si Genci Shurdho dhe i kërkon t'i faturojë atij një pagese prej rreth 35,200 Euro për një sherbim që dyshohet se nuk ështe kryer.
“Nga komunikimet e numrit të telefonit në përdorim të tij rezulton se në datën 02.08.2023 ka kryer nje telefonatë me numrin e telefonit 068******* (identifikuar se Genci Shurdho) nëpërmjet së cilës shtetasi i identifikuar si Ermal Kurtulaj i kërkon atij t'i faturojë atij një pagese prej rreth 35,200 Euro për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer. Në ketë bisedë Ermal Kurtulaj i kërkon që Genci të pyesë ekonomistin e vet dhe t'i kthejë përgjigje shpejt sepse, sic shprehet "Po in duhet me mu kthy i pergjigje tashi shpejt qe ta di se duhet, iken Iliri dhe duhet të firmos ca letra pranej po t them.". Nga kjo pjesë bisede krijohet dyshim se fatura do të jetë thjesht fiktive për të justifikuar shpenzimin e shumës në fature (35,200 Euro)”- thuhet në një pjesë të hetimeve për çështjen.
Në dosjen hetimore theksohet se Genci Shurdho nuk ka mundur të lëshojë faturën e kërkuar dhe fatura është lëshuar nga Elton Marini. Fatura rezulton të jetë fiktive e bazuar në bisedat që ka zhvilluar Genci Shurdho me Kurtulajn. Ky i fundit i ka kërkuar Elton Marinit një firmë tjetër dhe sipas hetimeve, ata janë takuar fizikisht me njëri-tjetrin për të diskutuar për procedurat. Versus.al








