
Një mësues i shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë është përjashtuar nga puna, pasi dyshohet se ka zhvilluar propagandë fetare në ambientet e shkollës, konkretisht në lidhje me fenë e Dëshmitarëve të Jehovait.
Largimi i tij nga detyra ka ndodhur më 6 shkurt 2026, ndërsa për këtë rast ka reaguar zyrtarisht edhe Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare në Tiranë, e cila ka dhënë detaje mbi procedurat e ndjekura.
Sipas sqarimit zyrtar, gjithçka ka nisur pas një ankese të depozituar nga dy prindër më datë 2 shkurt 2026. “Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare ‘Gustav Mayer’ ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë Rajonale Arsimore.
Verifikimet janë realizuar në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Përfaqësues të drejtuesve të shkollës dhe shërbimit psikosocial kanë hyrë në orën mësimore të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet që ai përdorte gjatë procesit mësimor. “Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit dhe kanë administruar materialet përkatëse”, sqaron më tej Drejtoria Arsimore.
Pas përfundimit të verifikimeve, rasti i mësuesit, shtetasit D.Z. është ndjekur sipas procedurave ligjore dhe institucionale në fuqi. Drejtoria Arsimore bën me dije se më 2 shkurt 2026, drejtoria e shkollës ia ka referuar çështjen Komisionit të Etikës. “Me shkresën nr. 29 prot., rasti iu përcoll Komisionit të Etikës, i cili u mblodh në të njëjtën datë”, thuhet në njoftim.
Komisioni i Disiplinës është mbledhur më 3 shkurt 2026 dhe ka marrë vendimin përfundimtar. Sipas Drejtorisë, vendimi është marrë me votim të fshehtë, ku shumica dërrmuese e anëtarëve kanë votuar për largimin nga puna. “Komisioni i Disiplinës, me 7 vota pro, vendosi masën disiplinore ‘largim nga puna”, thuhet në sqarimin zyrtar.
Drejtoria Arsimore nënvizon se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit. Në këtë kuadër, drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale Arsimore thekson se janë respektuar edhe të drejtat e mësuesit për t’u dëgjuar. “Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë”, sqarohet në deklaratë.
Që prej datës 3 shkurt 2026, mësuesi D.Z. nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.


