
E ëma e Artan Lamës ka bërë të ditur me dhimbje se djali i saj ka humbur jetën. Në një status prekës në rrjete sociale, ajo shprehte shpresën që ai do të rikthehej në jetë, ashtu si ia kishte premtuar.
"Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës, nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur, Artan Lame. Por ky moment i mallkuar erdhi dhe shpoi shpresën që më kishte ngjallur dje. Shpresoja sepse më premtoi se do të kthehej… ‘Nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej). Jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.’ Edhe nga gjumi ta zgjoje, për Muzeun fliste. Kur Tanin të ma sjellin këtu, do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejshme." – shkruan në mesazh e ëma e Artan Lamës.
Dje mediat raportuan për vdekjen e tij, por pak orë më vonë ky lajm u përgënjeshtrua nga Blendi Fevziu, i cili deklaroi se Artan Lame ishte ende gjallë, por në gjendje kome.
Ish kreu i Kadastrës ka ndërruar jetë në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar në zemër. Figura e Artan Lames është e lidhur ngushtë me jetën publike shqiptare. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në shtet, si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Legalizimeve dhe Kadastrës, ku la gjurmë me qasjen e tij institucionale dhe përkushtimin profesional.
Por Lame nuk ishte vetëm një funksionar i përkushtuar — ai ishte një pasionant i vërtetë i historisë. I njohur si një ndër koleksionistët më të mirë në Shqipëri, ai ishte një enciklopedi më vete e trashëgimisë shqiptare, një zë i veçantë që e trajtonte historinë me dashuri, respekt dhe finesë. Versus.al







