
Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve në vend, duke përcaktuar nivele të reja si për shitjen me pakicë ashtu edhe për atë me shumicë.
Sipas vendimit të fundit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 është caktuar jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 190 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë është vendosur jo më shumë se 176 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 164 lekë për litër.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi sot në orën 12:30 dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës, ku priten ndryshime të mëtejshme në varësi të lëvizjeve të tregut.
Gjithashtu, Bordi ka paralajmëruar të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve për detyrimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara, duke theksuar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit të tyre./Versus.al

