AKTUALITET /

Në "lojë" shëndeti i shqiptarëve, "Kurum" i shiti mbetjet e rrezikshme kompanisë që punonte 'remote' pa kushtet e duhura

Shkruar nga Versus

Në "lojë" shëndeti i shqiptarëve,

Hetimet e prokurorisë për kompaninë “Kurum” dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme që dëmtonin shëndetin e shqiptarëve, kanë nxjerrë në pah një sërë skandalesh që lidhen me papërgjegjshmërinë totale të kompanive që merreshin me këtë punë.

Nga analiza e kontratave doganore, rezulton se shoqëria “Alliance Resource” sh.p.k ka marrë nga “Kurum” mbetje të rrezikshme të cilat në kundërshtim me detyrimet ligjore, nuk janë trajtuar si mbetje, por janë faturuar, magazinuar dhe tregtuar si produkt “oksid zinku” duke u eksportuar më pas në tregje të huaja.

Kurum kishte shitur këto mbetje të rrezikshme tek shoqëria “Alliance Resource” ndërkohë që kjo e fundit nuk kishte provuar ekzistencën apo funksionimin real të kapaciteteve për të trajtuar këto mbetje të cilat janë maskuar si “produkt” dhe janë eksportuar pa u trajtuar sipas kërkesave të legjislacionit mjedisor.

Për më tepër, kompania që ka blerë këto mbetje të rrezikshme nga Kurum ka deklaruar se nuk ka patur aktivitet pasi ka qenë në fazë “remote”, por në të vërtetë rezulton të ketë eksportuar sasi prej mbi 333.000 kg peroksid zinku.

-Për periudhën qershor 2023 - shtator 2023 Alliance Resource sh.a. ka deklaruar se nuk ka pasur aktivitet pasi ka qene në fazë remonti, ndërkohë rezulton të ketë eksportuar një sasi prej 122,846.00 kg oksid zinku, peroksid zinku.

Por pavarësisht se deklaron se nuk ka mbetje të gjeneruara ose të pranuara, ndërkohë rezultojnë faturat e mëposhtme të shitjes gjatë periudhave të ndryshme 2023-2024:

Nr.1 datë 20.02.2024 me përshkrim malli Oksid zinku, në sasinë 114.842 ton, në vlerën 80389.41 USD;

Nr.2 datë 08.04.2024 me përshkrim malli Oksid zinku, në sasinë 79.92 ton, në vlerën 55944 USD;

Nr.3 datë 08.05.2024 me përshkrim malli Oksid zinku,në sasinë 102.51 ton, në vlerën 7688250 USD;

Nr.4 datë 05.07.2024 me përshkrim malli Oksid zinku, në sasinë 56.11 ton, në vlerën 53304.51

Nr.5 datë 31.08.2024 me përshkrim malli Oksid zinku, në sasinë 125.94 ton, në vlerën 107049

Në gusht të vitit 2024 kur u krye inspektimi si pasojë e dyshimeve të ngritura pas artikujve të publikuar në media, rezulton se kompania “Alliance” nuk ka vendosur në dispozicion kontratën me Kurum për mbetjet e rrezikshme që dyshohet se ishin eksportuar.

Sa i takon këtij fragmenti në dosje, kompania Kurum nuk ka mbikëqyrur procesin fundor si prodhues i mbetjeve të rrezikshme për të patur një ide se ku kanë përfunduar këto mbetje dhe sesi janë trajtuar. Pra përveç mospërputhjeve në deklarime përsa i përket sasive të mbetjeve, Kurum i ka shitur këto mbetje të rrezikshme tek shoqëria “Alliance Resource” ndërkohë që kjo e fundit nuk dispononte kushtet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve. Versus.al

Poll