AKTUALITET /

Ngacmimi sek*ual i pacientes 21 vjeçare, avokatja: Mjeku vepronte njësoj me femrat, abuzonte prej 33 vitesh

Nesër në gjykatën e Korçës do të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj mjekut 72 vjeçar.

Shkruar nga Versus

Ngacmimi sek*ual i pacientes 21 vjeçare, avokatja: Mjeku vepronte

Refxhei Tola, avokatja e vajzës 21 vjeçare në Korçë e cila denoncoi ditë më parë ngacmimin seksual nga mjeku kirurg, Niko Nunka, 72 vjeç, deklaroi për mediat se hetimet po bëhen edhe për raste që datojnë para 33 vitesh.

Sipas Tolës, hetuesit po shqyrtojnë edhe një denoncim të bërë një vit më parë pasi dyshohet se kemi të bëjmë me rast të përsëritur abuzimi. Ndërsa theksoi se përgjegjësia bie edhe mbi strukturën spitalore që nuk ka vepruar.

“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Arsyeja pse kërkova të jap këtë deklaratë është sepse kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera.Është një rast i përsëritur. Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive.

Vlerësoj vajzën që denoncoi. Drejtësia e re duhet të reagojë nëpërmjet këtij shembulli, që maniakët, abuzuesit dhe pedofilët të mos shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion, as ato që u takojnë avokatëve mbrojtës. Ne jemi një ekip prej 3 avokatësh që po asistojmë viktimën e abuzuar, por jemi të gatshëm të asistojmë edhe të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë. U bëj thirrje grave të vijnë të denoncojnë. Ne ju garantojmë anonimat të plotë. Në Shqipërinë tonë, ky fenomen ndodh rëndom dhe nuk merren masa të caktuara ndëshkimore, por raste të tilla përfundojnë duke u trajtuar vetëm me arrest shtëpie.

Bëhet fjalë për akuza dhe denoncime ndaj këtij mjeku që kanë ardhur në studion tonë ligjore. Janë akuza të cilat datojnë për ngjarje, e para fillon rreth 33 viteve më parë, dhe më e fundit që ka ardhur është para një viti. Sigurisht që mua më duhet të ruaj anonimatin. Këto denoncime janë duke u trajtuar nga studioja jonë ligjore para se të shkojnë në strukturat përkatëse të drejtësisë.

Ne duam të faktojmë që ky rast është një rast i përsëritur dhe se ky problem nuk qëndron vetëm tek mjeku. Kemi të bëjmë me një strukturë spitalore e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të bërë një hetim administrativ, edhe pse ka pasur çdo indicie të mjaftueshme për të mos e mbajtur më këtë mjek në atë vend pune, ku ai ka pasur mundësinë të shfrytëzojë dhe të përdorë njerëz në kushte vulnerabël“, tha avokatja. Versus.al

Poll